Në pranverën e vitit 2024, kur Irani sulmoi Izraelin me mbi 300 dronë, reagimi i SHBA-së dhe aleatëve ishte i menjëhershëm, por siç vëren analisti H. A. Hellyer, në kryeqytetet e Gjirit mbeti pezull një pyetje torturuese: çfarë do të ndodhte nëse Irani do të sulmonte direkt vendet arabe?
Përgjigjja duket se u dha më 28 shkurt 2026, kur lufta e hapur mes bllokut SHBA-Izrael dhe Iranit u pasua me goditje shkatërruese mbi infrastrukturën kritike të Gjirit, duke i dhënë fund epokës së stabilitetit të supozuar.
Sipas analizë së publikuar në Foreign Affairs, qeveritë e Gjirit po braktisin strategjinë e tyre të kahershme të neutralitetit dhe po hedhin poshtë supozimin e Uashingtonit se mund të integrohen në një arkitekturë sigurie të dominuar nga Izraeli.
Ky model, ku Izraeli gëzon superioritet ushtarak dhe liri veprimi pa marrë parasysh interesat e fqinjëve, shihet tashmë si një rrezik ekzistencial për monarkitë arabe. Marrëveshjet e normalizimit, të njohura si “Marrëveshjet e Abrahamit”, synonin ta rreshtonin rajonin pas fuqisë izraelite në këmbim të teknologjisë dhe mbrojtjes.
Por agresioni i fundit – duke përfshirë koston e lartë njerëzore në Palestinë dhe sulmet vdekjeprurëse brenda Katarit në vitin 2025 – e ka bërë bashkëpunimin me Tel Avivin politikisht të pamundur dhe strategjikisht të gabuar.
Për udhëheqësit arabë, lufta aktuale është prova se interesat e tyre nuk përputhen më me ato të Benjamin Netanyahut. Edhe pse vendet e Gjirit u përpoqën të ulnin tensionet me Teheranin, Irani vazhdon t’i konsiderojë ato objektive legjitime për sa kohë që strehojnë baza amerikane.
Kjo situatë i ka shtyrë shtetet arabe të kërkojnë alternativa jashtë orbitës tradicionale SHBA-Izrael, duke nxitur një diversifikim të vrullshëm që përfshin blerjen e dronëve turq, sistemeve të mbrojtjes koreano-jugore dhe partneriteteve të reja me Pakistanin dhe Bashkimin Evropian.
Për të fituar sovranitet të vërtetë, vendet e Gjirit po ecin drejt një “vetëmbrojtjeje kolektive” që përfshin koordinimin e radarëve, ndarjen e teknologjisë kundër dronëve dhe forcimin e industrive vendase si Edge Group në Emirate apo SAMI në Arabinë Saudite.
Hendeku midis vizionit izraelit për një Lindje të Mesme nën kontrollin e tij dhe aspiratave arabe për siguri autonome është tashmë i pakapërcyeshëm, pasi ajo që shtetet e Gjirit kërkojnë është një rend rajonal që mbron interesat e tyre pa i kthyer në “dëme kolaterale” të ambicieve të të tjerëve. \tesheshi.com\