Vera është ende disa javë larg, por rrugët e Dubrovnikut në Kroaci janë tashmë plot me turistë. Edhe pse kjo është shenjë e një sezoni të mbarë, pasiguria ndihet.
Paqëndrueshmëria globale e shkaktuar nga lufta dhe rritja e çmimeve të karburantit kanë sjellë paparashikueshmëri në industrinë e turizmit, veçanërisht për Dubrovnikun, që varet kryesisht nga udhëtarët ndërkombëtarë.
Sektori i turizmit është burimi kryesor i të ardhurave të vendit dhe asgjë nuk është e garantuar. Kriza e karburantit dhe tensionet në Gjirin Persik mund të rrisin çmimet e biletave të avionit, duke goditur rëndë Dubrovnikun, ku tetëdhjetë përqind e vizitorëve mbërrijnë përmes fluturimeve ajrore.
Miro Drashkoviç, drejtor i Bordit Turistik, thotë se disa udhëtarë po përballen me vështirësi udhëtimi drejt Evropës. Megjithëse Pashkët regjistruan rritje prej trembëdhjetë për qind, zyrtarët mbeten të kujdesshëm. Parashikimet për muajt në vijim janë të ndryshme.
Ndërsa kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë paralajmëroi për krizën më të madhe energjetike të parë ndonjëherë, Komisioni Evropian u bëri thirrje njerëzve të planifikojnë pushimet pa frikë.
Përveç turizmit, kriza ka rritur inflacionin në Kroaci në 5.8 për qind, një nga më të lartat në BE. Megjithatë, turistët si Ramon Padiernos nga Singapori shprehen se njerëzit do të vazhdojnë të shijojnë pushimet pavarësisht çmimeve.
Shpresat mbeten të larta që gjërat të kthehen në normalitet, por për momentin, operatorët turistikë po punojnë ditë pas dite për të shpëtuar sezonin.
Po Shqipëria?
Ndërkohë që vendet e rajonit po analizojnë me detaje çdo lëvizje të tregut për të mbrojtur shtyllën e tyre ekonomike, në Shqipëri situata duket se po trajtohet me një apati shqetësuese nga ana e qeverisë Rama.
Ndërsa kriza e karburanteve rëndon xhepat e qytetarëve dhe kërcënon sezonin turistik, reagimi institucional ka qenë i vakët, duke u mjaftuar me mekanizma që në praktikë kanë rezultuar joefikasë për konsumatorin e thjeshtë.
Instrumenti i vetëm “mbrojtës” i qeverisë mbetet Bordi i Transparencës, i cili në sytë e publikut ka humbur çdo legjitimitet. Ky bord duket më shumë si një instrument i bashkërendimit të interesave të oligopolit të naftës sesa një mburojë sociale.
Në vend që të frenojë spekulimet, Bordi shpesh ka shërbyer për të zyrtarizuar çmime të larta, duke treguar një kujdes të veçantë për të mos prekur marzhet e fitimit të importuesve, ndërkohë që konsumatori shqiptar vazhdon të paguajë naftën me çmime që nuk reflektojnë uljet në bursat ndërkombëtare.
Po ashtu, kjo krizë ka nxjerrë në pah premtimet e pambajtura të kryeministrit Rama. Kohë më parë, në kulmin e presionit publik, ai premtoi krijimin e një kompanie shtetërore të importit të karburanteve, e cila do të ndërhynte në treg për të garantuar furnizimin dhe për të thyer monopolet private.
Megjithatë, ky premtim ka mbetur në sirtarët e propagandës, duke e lënë sigurinë energjetike të vendit dhe fatin e sezonit turistik plotësisht në dorë të interesave private. Në një kohë kur turizmi shqiptar kërkon stabilitet dhe mbështetje për të konkurruar me fqinjët, kjo neglizhencë qeveritare rrezikon të kthehet në një kosto të papërballueshme.
Pa një ndërhyrje reale për të kontrolluar koston e jetesës dhe transportit, premtimet për “shifra rekord” turistësh mund të mbeten vetëm në rrjetet sociale të kryeministrit, ndërsa realiteti ekonomik i shqiptarëve rëndohet dita-ditës. /tesheshi.com/