Programi Artemis II nuk synon thjesht rikthimin e njerëzve në satelitin e Tokës, por zgjidhjen e pyetjeve që kanë mbetur pezull për gjysmë shekulli. Për dekada, kemi supozuar se Hëna ishte një peizazh i vdekur dhe pa ujë. Por misionet robotike kanë dëshmuar të kundërtën: ky trup qiellor fsheh enigma themelore që mund të marrin përgjigje brendan njëzet viteve të ardhshme.
1. Origjina e Hënës
Teoria kryesore sugjeron se Hëna u formua 4.5 miliardë vjet më parë pas përplasjes së Tokës me një planet të përmasave të Marsit. Megjithatë, kjo hipotezë bazohet në simulime dhe mostra të limituara të misioneve Apollo. Artemis II synon të analizojë shkëmbinj të paprekur dhe fragmente të mantelit të nxjerra nga krateret e thella, duke rindërtuar kronologjinë e saktë të oqeanit të lashtë të magmës.
2. Misteri i ujit
Dikur besohej se Hëna ishte tërësisht e thatë. Sot dihet se krateret në polin jugor, të zhytur në hije të përhershme, mbajnë akull. Pyetja kryesore është sasia dhe forma e tij. Eksplorimi i këtyre zonave do të përcaktojë nëse ky ujë mund të shfrytëzohet për prodhimin e oksigjenit dhe karburantit, duke diktuar kështu fizibilitetin e bazave të ardhshme njerëzore atje.
3. Brendësia e panjohur
Struktura e brendshme e Hënës mbetet një “pikë e verbër”. Ndonëse misionet e hershme zbuluan tërmete hënore, të dhënat janë të kufizuara vetëm në një rajon. Një prani e qëndrueshme do të mundësonte instalimin e një rrjeti global sizmometrash, duke krijuar një hartë të saktë të bërthamës, mantelit dhe shpërndarjes së nxehtësisë së mbetur.
4. Dy fytyrat e Hënës
Pse ana e dukshme e Hënës është e lëmuar dhe e pasur me bazalt, ndërsa ajo e pasme është e parregullt dhe e mbuluar me kratere? Kjo asimetri është një nga enigmat më të mëdha. Përmes ekspeditave në anën e padukshme dhe analizës termike të mostrave, shkencëtarët shpresojnë të kuptojnë efektet gravitacionale dhe evolucionin e diferencuar të të dyja anëve.
5. Enigma e magnetizmit
Shkëmbinjtë e sjellë nga misionet Apollo treguan shenja magnetizimi, gjë që bie ndesh me faktin se Hëna është shumë e vogël dhe e ftohtë për të bartur një fushë magnetike aktive. Me mostra të reja dhe matje precize në rajone të ndryshme, Artemis II mund të sqarojë forcën dhe kohëzgjatjen e fushës magnetike që dikur mbronte satelitin e Tokës.
Përtej këtyre pikave, Hëna sot shërben si laborator për të ardhmen. Suksesi i këtij programi nuk do të ndryshojë vetëm kuptimin tonë për botët shkëmbore, por do të shënojë fillimin e një faze të re ku njeriu nuk është më thjesht vizitor, por banor i hapësirës. Me mjetet e duhura dhe duart plot me gurë hëne, jemi më afër se kurrë përgjigjeve që kemi kërkuar për pesëdhjetë vjet. /tesheshi.com/