Pse është vështirësuar kaq shumë parashikimi i motit?

Një boshllëk i identifikuar rishtazi në modelet klimatike mund të shpjegojë se përse, në një botë ku klima dhe moti vëzhgohen me imtësi, parashikimet e reshjeve lokale mbeten ende kaq të vështira.

Hulumtimet e publikuara në revistën “Nature”, zbulojnë se modelet aktuale klimatike e nënvlerësojnë ndikimin që aktivitetet njerëzore, si emetimet e gazrave serrë, kanë në qarkullimin atmosferik në shkallë të gjerë, pra te erërat që përcaktojnë se ku do të bien reshjet.

Ky zbulim mund të ndihmojë në krijimin e parashikimeve më të besueshme për reshjet lokale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në bujqësi, furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë.

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Oksfordit dhe Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë (ETH) në Cyrih, analizoi të dhënat mbi shpërndarjen e reshjeve dimërore në Hemisferën Veriore nga viti 1950 deri në vitin 2022.

Ata zbuluan se, ndërsa modelet aktuale janë bërë shumë të sakta në parashikimin e faktit se një atmosferë e ngrohur mban më shumë lagështi, nuk kanë qenë po aq të suksesshme në kuptimin e mënyrës se si këto ndryshime ndikojnë në qarkullimin atmosferik.

Përvoja tregon se, me ndryshimin e klimës, reshjet po bëhen më intensive dhe më pak të rregullta, duke u ndërthurur shpesh me periudha të gjata thatësire.

Për të parashikuar me saktësi se ku do të bien reshjet, duhet të merren parasysh dy procese kryesore: efektet termodinamike, që lidhen me nxehtësinë dhe lagështinë, dhe efektet dinamike.

Këto të fundit përfshijnë qarkullimin e rrymave ajrore me shpejtësi të lartë në lartësi të mëdha, të cilat kontrollojnë shpërndarjen gjeografike të reshjeve.

Studiuesit përdorën metoda statistikore dhe modele të përparuara klimatike për të ndarë këta dy komponentë dhe konfirmuan se, ndërsa modelet kapin me saktësi proceset termodinamike, ato janë më pak të besueshme në përfaqësimin e ndryshimeve dinamike.

Për shembull në Evropën Jugore, modelet klimatike aktualisht arrijnë të simulojnë vetëm 10 për qind të modeleve të reshjeve të nxitura nga qarkullimi atmosferik.

Thelbi i kësaj vështirësie qëndron te fakti se qarkullimi atmosferik mund të ndryshojë në mënyrë natyrale dhe spontane përgjatë viteve, shpesh në mënyra të paparashikueshme.

Kësaj i shtohet edhe mundësia që modelet klimatike ta nënvlerësojnë reagimin e erërave ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga njeriu.

Pikërisht kjo pasiguri midis luhatjeve natyrore dhe ndryshimeve të shkaktuara, e bën të vështirë përcaktimin nëse një ndryshim në rrymat ajrore është thjesht një proces natyror apo pasojë e krizës klimatike. Dhe kjo i bën më pak të besueshme parashikimet në shkallë lokale. /tesheshi.com/

Leave a Comment